Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Shkëndija do të bëhet zjarr, me një KKE të fortë, të palëkundur në çdo provë, gati për thirrjen e Historisë, për socializmin!

Me një tubim të madh politik me folës Dhimitri Kucubas, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), kulmuan në Athinë aktivitetet e Festivalit të 51-të të Rinisë Komuniste të Greqisë (KNE) dhe revistës së saj «Odigitis», e cila më parë kishte udhëtuar në shumë qytete të vendit.
Për 4 ditë resht, dhjetëra mijëra njerëz vizituan aktivitetet kulturore dhe politike të festivalit, ku mbi 400 artistë lanë bresat më të mira, ndërsa u zhvilluan diskutime mbi çështje dhe zhvillime të rëndësishme. Në një kënd të parkut ku zhvillohej Festivali, ishte ngritur Qyteti Ndërkombëtar ku ndodheshin mbi 30 organizata komuniste dhe anti-imperialiste të huaja dhe vizitorët e festivalit mundën të komunikonin drejtpërdrejtë me ta, ndërsa kishte dhe ekspozita, librari, kënde të tjera për aktivitete për fëmijë, etj. Mijëra anëtarë të KNE dhe të KKE punuan për të ngritur festivalin, për ta ruajtur atë dhe për të siguruar mbarëvajtjen e tij.
Në fjalimin kryesor politik të Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të KKE morën pjesë ambasadorët e Kubës, Aramis Fuente Hernandez dhe i Palestinës, Yussef Dorkhm. I pranishëm ishte edhe sindikalisti i USB (Itali) Pier Paolo Leonardi, si dhe krye-bashkiakët e zgjedhur me «Laiki Sispirosi» në bashkitë e qyteteve Kesariani, Petrupoli, Patrës, Ikarias dhe Haidhari. Gjithashtu, Magdha Fysa, nëna e muzikantit të ri Pavlos Fisa, të vrarë nga «Agimi i Artë» nazist, si dhe një mori artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh.
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të KKE nga skena qendrore e këtij festivali u bëri thirrje punëtorëve të marrin pjesë masivisht në grevën 24-orëshe të punëtorëve. Siç tha ai në mënyrë karakteristike, «të mërkurën e ardhshme, më 1 tetor, në grevën e madhe mbarë-punëtore, makineritë duhet të fiken, zyrat duhet të zbrazen, qepenat duhet të ulen, të gjitha rrugët duhet të përmbyten dhe «JO»-ja e klasës punëtore ndaj skllavërisë moderne duhet të dëgjohet me zë të lartë!»
Dh. Kucubas e përshkroi Festivalin e KNE si «një demonstrim të madh solidariteti me popullin heroik të Palestinës, i cili këmbëngul të rezistojë dhe të luftojë për të drejtën e tij. Me të drejtat e tij si armë, populli Palestinez qëndron ende në këmbë, duke refuzuar të rrafshohen nën makinerinë vrastare të luftës së Izraelit, i cili tani po përpiqet të përfundojë brutalitetin e tij me rrafshimin dhe pushtimin e Gazës. Këtu rreh sonte zemra e kujtdo që dëshiron të quhet njeri, e kujtdo që ndërgjegjja nuk e duron dot të heshtë, duke parë një popull dhe fëmijët e tij të gjakosen dhe të vdesin urie në transmetim të drejtpërdrejtë.»
Duke iu referuar përfshirjes së Greqisë në luftërat imperialiste, ai vuri në dukje se «është vërtetuar, edhe një herë, ajo që thoshte KKE, kur të gjithë të tjerët së bashku votuan në buxhet në favor të shpenzimeve të luftës: Se popujt po derdhin gjak për armatime, të cilat i shërbejnë vetëm NATO-s dhe antagonizmave imperialiste. Njëkohësisht, tashmë janë shembur edhe ato mitet që flisnin për imperialistë të ndryshëm “paqebërës” –siç thoshin disa që luajnë rolin e anti-sistemikëve, pika që s’u bie, në vendin tonë për Tramp-in– pasi tani është e qartë se shigjeta e zhvillimeve, veçanërisht në Europë, tregon në drejtim të një përshkallëzimi shumë serioz, me vendin tonë të përfshirë në rreziqe të mëdha, me përgjegjësinë e qeverisë së ND-së dhe mbështetjen e të tjerëve.
Në këtë betejë, për shkëputje nga masakra e luftërave, mbrojtjen e popullit Palestinez, KKE dhe KNE dhamë të gjithë forcat tona së bashku me mijëra militantë të tjerë. Jemi krenarë dhe premtojmë se do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë!
Tani është koha për mobilizimin më të madh të mundshëm, për presion më të madh të mundshëm mbi qeverinë e ND-së, për të ndaluar çdo bashkëpunim midis Greqisë dhe Izraelit. Të vazhdohet me njohjen aktuale të shtetit Palestinez, bazuar në vendimin unanim të Parlamentit të Greqisë që nga viti 2015, tani dhe jo "në fund të ndonjë rruge", siç guxojnë të thonë qeveritarët, as pas ndonjë "përditësimi" të këtij vendimi, siç thotë dhe kërkon, me dyshim PASOK-u.
Pra, të vazhdohet me njohjen e shtetit Palestinez me kufij ato që ishin shpallur në vitin 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës. Të një shteti me unitet territorial, pa trupa ushtarake pushtuese dhe koloni. Të një shteti me të gjitha strukturat dhe pushtetet që kanë edhe shtetet e tjera. Një shtet me të vërtet të pavarur, pa mbi-sundimtarë, në të cilin, populli dhe jo imperialistët, do të vendosin se kush do të marrë pjesë dhe kush jo në qeverisje, dhe, nëse populli e vendos, ta marrë vet pushtetin në duart e tij.
Kjo është përmbajtja e sloganit që është dëgjuar me zë të lartë në të gjithë vendin për dy vjet: Liri për Palestinën!»
Duke folur për luftërat e rëndësishme punëtore dhe popullore, Sekretari i Përgjithshëm i KQ të KKE vuri në dukje se: «Sidomos në epokën e sotme, e cila është një epokë e raportit të përgjithshëm negativ, por edhe një epokë e ngërçeve të mëdha të sistemit, për të cilat nuk ka shërim, luftërat e popullit dhe të rinisë, sado masive të jenë, do të mbeten në mes, do të jenë të brishta e të rrezikuara për tu integruar në sistem, nëse ato kufizohen vetëm në disa kërkesa, nëse nuk mprehin frontin ideologjik me kundërshtarin klasor në betejën e ideve.
Për shembull, lufta kundër projektligjit – monstruoz për 13-orë pune në ditë, është gjithashtu një betejë ideologjike për atë që është moderne dhe progresive sot. Sepse në epokën e arritjeve të mëdha teknologjike dhe inteligjencës artificiale, të rritjes së paparë të produktivitetit të punës, gjëja moderne dhe absolutisht e realizueshme është që punëtorët të punojnë sot 7 orë në ditë, 5 ditë në javë dhe gjithsej 35 orë në javë, me Marrëveshje Kolektive të Punës që do të garantojnë të gjitha të drejtat e tyre, që ata të gëzojnë kohë të lirë cilësore.
E vetmja pengesë për këtë është kriteri i fitimit kapitalist, i cili përcakton gjithçka në sistemin aktual dhe na kthen në punësimin Mesjetar. Është një betejë kundër ideologjisë borgjeze që e vesh çdo përmbysje të së drejtave në favor të kapitalit, me petkun e "zgjedhjes individuale", të cilën e shkëput nga konteksti shoqëror, e sjell në kundërshtim me nevojat shoqërore (…)
Punëtorët në të gjitha shtetet kanë jetuar gjithmonë poshtë mundësive të secilës epokë dhe me kalimin e viteve, hendeku midis mënyrës së asaj se si mund të jetonim dhe mënyrës se si jetojmë në të vërtetë bëhet më i madh. Ky është realiteti. (…)
Përgjigja e popullit dhe e rinisë ndaj atyre që u bëjnë thirrje të vënë vazhdimisht “kufij” mbi nevojat dhe kërkesat e tyre, duhet të jetë vetëm një: më masivisht, më të organizuar, më agresivisht në luftën për nevojat tona, për jetën që na takon në shekullin e 21-të!
Kjo luftë, për të qenë fitimtare, për të qenë në gjendje të shkojë deri në fund, duhet të vendos në shënjestër qeveritë dhe të gjitha partitë e sistemit, komplet shtetin aktual armiqësor dhe institucionet e tij antipopullore, punëdhënësit kapitalistë, bashkësitë imperialiste në të cilat merr pjesë vendi, NATO-n, BE-në, etj., me fjalë të tjera të gjitha ato që përbëjnë vërtet atë që quhet “sistem”.
D. Kucubas kritikoi ashpër faktin që «“Hellenic Train”, kompania që po plaçkit hekurudhën falë udhëzimeve të BE-së për “çlirimin” e saj, falë qeverive SYRIZA dhe ND që e shitën atë, ka guximin të kërkojë apologji nga një punonjës, një sindikalist i zgjedhur dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Qendror të KNE, Niko Caklidhis, i cili është gjithashtu i afërm i vajzës Agapi Caklidhi që humbi jetën në krimin hekurudhor në Tempi, me akuzën se shkaktoi, thonë, “çrregullim të shërbimit”! Dhe pse ndodh kjo? Sepse bëri atë që është logjike: Ai ndoqi masat e sigurisë, duke refuzuar të bëj i vetëm punën e rrezikshme që duhet të bëhet nga dy persona! E po mjaft më! Ku do arrijë gjuetia për fitime?
E megjithatë, ata e kanë gjetur rezistencë përballë një populli dhe një rinie që këmbëngul të demonstrojë, të bërtasë «fitimet e tyre apo jetët tona». Të qëndrojë pranë të afërmve të viktimave në luftën që ata bëjnë për drejtësi».
Luftërat e mëdha që dha populli dhe rinia vitet e fundit me kontributin vendimtar të KKE dhe KNE, nënvizojnë përgjegjësitë që ka Partia jonë, në mënyrë që, në vitet që vijnë, të kontribuojë në ndërmarrjen e hapave më vendimtarë në procesin e riorganizimit të lëvizjes sindikaliste, në forcimin e linjës antikapitaliste brenda saj.
Në formimin e një lëvizjeje të bashkuar mbarëkombëtare, me teza dhe synime të përbashkëta, për plotësimin e nevojave bashkëkohore të punëtorëve kundër monopoleve dhe pushtetit të tyre (…) Një lëvizje, e cila do të kontribuojë me aktivitetin dhe solidaritetin e saj internacionalist, në mënyrë që punëtorët e të gjithë botës të mos përçahen, duke marrë anën e njërit ose tjetrit grabitës të pasurisë që ata prodhojnë. (…)
KKE është e vetëdijshme për përgjegjësitë e saj dhe i merr përsipër ato plotësisht. Prandaj, duke marshuar drejt Kongresit tonë të 22-të, vendosim pikërisht këto çështje në qendër të diskutimit. Ne e mirëpresim Kongresin tonë me një frymë përgjegjësie, krenarie, optimizmi militant dhe realist për të drejtën e luftës sonë.
Sepse drejtësia e luftës sonë, sot kërkon që Partia jonë të harmonizohet plotësisht dhe me një ritëm më të shpejtë dhe më efektiv, me programin dhe statutin e saj revolucionar, për të qenë vërtet një «parti e gatitur për çdo gjë», një udhëheqëse e luftës së popullit tonë sot dhe nesër, për socializmin.»
30.09.2025