Lidhje me faqet e vjetra të PKG
KKE nderon 9 Majin

Në të gjithë Greqinë, gjatë kësaj periudhe po zhvillohen aktivitete të ndryshme të organizatave të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe Rinisë Komuniste të Greqisë (KNE) në nder të 80-vjetorit të Fitores Antifashiste.
Më 4 maj 2025, në Poligonin e Qitjes në qytetin Kesariani, pranë vendit ku, më 1 Maj 1944 nazistët ekzekutuan 200 komunistë, u mbajt një tubim i madh i Organizatës së KKE në Atikë për 80-vjetorin e Fitores Antifashiste të Popujve, me folës Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Qendror të KKE, Dhimitri Kucubas.
Në këtë aktivitet mori pjesë një delegacion i Partisë Komuniste të Turqisë, i kryesuar nga Qemal Okuyan, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PK të Turqisë. Më herët, Sekretarët e Përgjithshëm të Partive Komuniste të Greqisë dhe Turqisë vendosën lule në vendin ku u ekzekutuan 200 komunistët, ndërsa pas fjalimit politik, pasoi një koncert me këngë antifashiste, partizane dhe këngë kundër luftës.
Në fjalimin e tij, Dh. Kucumbas vuri në dukje, ndër të tjera:
«9 Maji është dhe do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në kujtesën e popujve si dita e Fitores Antifashiste të Popujve. Si një ditë nderimi, kujtimi dhe përuljeje ndaj miliona njerëzve që ranë në luftën për të shtypur Boshtin imperialist nazi-fashist. Si një ditë kujtimi të kontributit të jashtëzakonshëm të Ushtrisë së Kuqe, popullit sovjetik dhe lëvizjeve nacional-çlirimtare të Europës, në themelimin e të cilave Partitë Komuniste ishin në krye. (...)
KKE, kundër rrymës së shtrembërimit historik dhe injorancës së kultivuar nga sistemi, do të vazhdojë të nderojë dhe mbrojë kontributin e madh të Bashkimit Sovjetik në luftën për shtypjen e nazi-fashizmit. Sepse mbajti barrën kryesore të luftës, duke paguar një kosto shumë të rëndë (…)
Gjithashtu, vendimtare në mposhtjen e nazi-fashizmit ishte kontributi i lëvizjeve popullore nacional-çlirimtare. Që në momentet e para, me udhëheqjen e komunistëve, ishin ata që hapën frontin e dytë kundër Gjermanisë naziste dhe aleatët e saj në zemër të Europës së pushtuar.(...) Ndihemi krenarë që Partia jonë, KKE e nderuar, ishte frymëzuesja, organizatorja dhe dhuruesja kryesore e gjakut të Rezistencës së madhe të Frontit Nacional-Çlirimtar (EAM), një nga lëvizjet më të mëdha të rezistencës në Europën e pushtuar. (…) Megjithatë, për fat të keq, kjo luftë masive punëtore-popullore nuk mundi të arrijë në fitoren përfundimtare. KKE, pavarësisht kontributit të saj të madh, nuk ishte mjaftueshëm e përgatitur për të ngritur çështjen e marrjes së pushtetit punëtor, si rezultat dhe shpërblim i aktivitetit të rezistencës. Nën ndikimin edhe të analizave të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare, ajo dështoi të formësonte kushtet për një kurs që mund të çonte në fitore, në pushtetin punëtor-popullor pas çlirimit të vendit nga pushtimi. Ajo e shihte luftën kundër luftës imperialiste dhe fashizmit të shkëputur nga nevoja për të përmbysur vetë pushtetin kapitalist, i cili përbën mitrën e tyre.(…)
Nëse rruga paqësore parlamentare drejt socializmit nuk ishte e mundur në vitin 1944, kur forcat punëtore-popullore ishin të organizuara në mënyrë masive, revolucionare dhe madje të armatosura me armë dhe aparati shtetëror kapitalist atëherë mbetej i çorientuar, atëherë vërtetohet se kjo nuk do të ndodhë kurrë, me një strategji të tillë, është utopi e pastër.
Kjo është arsyeja pse mbetet një mësim i vlefshëm historik që Partia jonë, në të gjitha rrethanat dhe nën çdo korrelacion/raport forcash, duhet të ketë një angazhim të palëkundur ndaj qëllimit të pushtetit të punëtorëve. Të mos ndryshojë drejtim dhe përmbajtje synimi i Aleancës Popullore, si një aleancë shoqërore me linjë lufte antimonopoliste - antikapitaliste, si një opozitë punëtore-popullore ndaj pushtetit borgjez. Vetëm në këtë mënyrë lufta e punëtorëve dhe e popullit mund të ketë një perspektivë të qartë dhe të padiskutueshme. (...)
Lufta e Dytë Botërore -ashtu si Lufta e Parë Botërore para saj, por dhe dhjetëra luftëra të tjera lokale dhe rajonale që shënuan shekullin e 20-të dhe që vazhdojnë gjer sot e kësaj dite- ishte një luftë imperialiste. (...) Në altarin e interesave kapitaliste, u krye ky krim monstruoz imperialist kundër njerëzimit.
Të gjithë ata faktorë, të gjitha ato antagonizma janë ende të pranishme sot. (…) Vendi ynë është gjithashtu thellësisht i përfshirë në këto antagonizma, me përgjegjësinë e qeverisë së ND dhe me konsensusin thelbësor të së gjitha partive që janë në favor të sistemit kapitalist, BE-së dhe NATO-s.
Në Ukrainë, për më shumë se 3 vjet, po zhvillohet një konflikt i përgjakshëm midis borgjezisë ukrainase, me aleatë nga SHBA-NATO-BE, dhe borgjezisë ruse, e cila ka aleatët e vet. Pavarësisht preteksteve të qëna e të paqena që përdor secila palë, pavarësisht gënjeshtrave monstruoze që dëgjuam edhe në vendin tonë, nga papagallët e ish-"anës së drejtë të historisë", tani është e qartë se lufta u zhvillua për mënyrën e ndarjes së tokave pjellore, mineraleve të rralla, energjisë, tubacioneve të transportit të gazit, porteve, Zonës Ekskluzive Ekonomike të Detit të Zi, pjesëve të tregut, etj. Çfarë tjetër, nëse jo këtë, vërteton dhe vetë marrëveshja që u firmos në ditët e mëparshme nga qeveria reaksionare e Tramp-it me Zelenski-n për shfrytëzimin e pasurisë të popullit ukrainas?
Nga ana tjetër, Rusia kapitaliste ka dëshmuar se, megjithëse një "grabitqare" relativisht e re brenda botës kapitaliste, ajo ka fuqi për të konkurruar në kushte të barabarta me bllokun euroatlantik dhe të arrijë suksese në fushat e betejës. Ishte një zhvillim që tronditi vetë aleancën euroatlantike, e cila për vite me radhë na paraqitej si "e pathyeshme" dhe e ndërtuar mbi "vlerat e përbashkëta liberale".
Sigurisht, arsyeja nuk është "paranoja" e 100 ditëve të para të administratës së Trump-it, por se SHBA-të duan ta "mbyllin" frontin ukrainas -por njëkohësisht duke nxjerrë edhe fitime- në mënyrë që të përqendrohen te rivali i tyre kryesor, i cili sfidon supremacinë e tyre në tregjet globale, domethënë Kina.
Sot, bota kapitaliste po ecën drejt një krize të re globale dhe BE-ja, duke hyrë në "shinat" e një ekonomie lufte, kërkon përsëri ta ngarkojë barrën mbi punonjësit. Kjo është arsyeja pse përgatit shoqëritë europiane -edhe atë greke- të pranojnë të paguajnë nga xhepat e tyre dhe me gjakun e tyre për interesat e kapitalistëve europianë, për monopolet europiane. Të pranojnë pa bërë zë që të "shkurtohen" edhe më shumë nevojat e tyre për të paguar luftërat tregtare, tarifat dhe kundërmasat, garën e armatimeve dhe "ekonominë e luftës", domethënë përshtatjen e të gjithë ekonomisë kapitaliste në kushtet e luftës. (...)
80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mësimet e nxjerra prej saj, përforcojnë qëndrimin se përballë barbarisë kapitaliste, e vetmja alternativë është socializmi-komunizmi. Është çlirimi i klasës punëtore nga shfrytëzimi, është themeli i marrëdhënieve të reja shoqërore, pronësia shoqërore e mjeteve të prodhimit, planifikimi qendror, pjesëmarrja aktive e punëtorëve në organizimin - menaxhimin e prodhimit shoqëror dhe shërbimeve shoqërore.(...)
Për këtë arsye, KKE ka vendosur si synim dhe kërkon të forcojë kapacitetin e saj në të gjitha nivelet, në çdo fushë dhe sektor pune, në çdo qytet dhe fshat, në mënyrë që:
• Të jetë protagoniste në zhvillimin e luftërave për kërkesa pa e shkëputur këtë aktivitet nga brumosja dhe lufta për misionin historik të klasës punëtore, zhdukjen e marrëdhënieve shoqërore shfrytëzuese.
• Të lidhi çdo luftë ekonomike dhe politike dhe nën çdo korrelacioni/raporti me detyrën kryesore politike, luftën për pushtetin e punëtorëve, dhe të shfrytëzohen të gjitha format e luftës në këtë drejtim.
• Të sprapsë çdo sulm antikomunist dhe të jetë vigjilente.
KKE, me gjakun e bijve të saj më të mirë, ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj klasës punëtore, ndaj të drejtave të popullit, ndaj socializmit, ndaj internacionalizmit proletar! (...)»
07.05.2025