Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Iniciativa e KKE për Palestinën. Letër e dërguar nga Dh. Kucubas drejtuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të opozitës

Një letër drejtuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të opozitës së Greqisë (përveç fashistëve të partisë "Spartiates") u dërgua ditën e enjte më 22/5 nga Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Dhimitri Kucubas, në dritën e zhvillimeve dramatike që po përjeton populli i Palestinës për shkak të brutalitetit të shtetit të Izraelit, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që ekzistojnë midis partive politike, në bazë të vendimit unanim të Parlamentit Grek në vitin 2015 për njohjen e shtetit palestinez.
Me letrën e tij, Dh. Kucubas propozoi formulimin e një teksti drejtuar qeverisë greke, në mënyrë që ajo, me cilësinë e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mund të marrë iniciativa përkatëse për çështjet që kanë të bëjnë me operacionet ushtarake në Gaza, korridoret humanitare, dënimin e krimeve të Izraelit dhe njohjen e shtetit Palestinez.
Iniciativës së KKE iu përgjigjën pozitivisht presidenti i partisë «SYRIZA», Sokrati Famellos, presidenti i partisë «Nea Aristera», Aleksi Haricis, dhe presidentja e «Plevsis Elevtherias», Zoi Konstantopulu.
Partia e PASOK-ut u përgjigj negativisht (natyrisht për të mos prishur aleancën strategjike me Izraelin shtet-vrasës) dhe se do të merrte iniciativa me partitë socialdemokrate europiane. Përgjigjet nga partitë e tjera si, «Elliniki Lisi» dhe «Niki», ishin gjithashtu negative.
Deklarata e përbashkët, e cila u formulua me iniciativën e KKE, thotë:
«Populli i Palestinës po përjeton momente dramatike. Shteti dhe qeveria e Izraelit po përshkallëzojnë operacionet ushtarake në Rripin e Gazës me qëllimin e deklaruar për ta spastruar atë nga popullsia palestineze. Në këtë kontekst, ata madje po refuzojnë të ofrojnë ndihmë humanitare, duke e vënë popullin palestinez përballë kërcënimit të urisë. Shfarosja e pjesshme ose e plotë e një popullsie përbën gjenocid.
OKB-ja ka paralajmëruar se mijëra foshnje në Gaza janë në rrezik vdekjeje për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së ilaçeve. Në Gaza dhe para syve të njerëzimit, po ndodh një gjenocid i vërtetë që deri më sot ka rezultuar në mbi 61.000 të vrarë, 119.000 plagosje dhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur, shumica dërrmuese e të cilëve janë civilë.
Çdo ditë dhe në një shkallë të gjerë, po kryhen akte të veçanta gjenocidi, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në shkelje të çdo koncepti dhe dispozite të së drejtës ndërkombëtare, të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës ndërkombëtare penale dhe në kundërshtim të plotë me ndjenjat e popujve të së gjithë botës, përfshirë edhe popullin grek, i cili gjithmonë ka shprehur solidaritetin e tij ndaj popullit palestinez. Gjykata Ndërkombëtare Penale, anëtare themeluese e së cilës është Greqia, ka lëshuar urdhër arresti kundër Netanyahut për krime ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime kritike, qeveria greke nuk ka të drejtë politike, ligjore apo morale për të justifikuar dhe në fund të fundit për të mbështetur këto krime. Ajo duhet -edhe me cilësinë e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së- të ndërmarrë iniciativa aktive, urgjente dhe të qarta për të ndaluar gjenocidin kundër popullit palestinez, për të përballur krizën humanitare, të njihet shteti palestinez në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Grupet Parlamentare që nënshkruajmë më poshtë, përmes Presidentëve të tyre, ja dërgojmë këtë deklaratë Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë me qëllim që të ndërmarrë iniciativa në drejtimet e mëposhtme:
• Të ndalen tani të gjitha operacionet ushtarake nga Shteti i Izraelit në Gaza dhe të vendoset armëpushim.
• Të hapen menjëherë korridoret humanitare në mënyrë që ndihmat si, uji, ushqime, ilaçe, furnizimet shëndetësore dhe mjekët të mund të dërgohen menjëherë për të përballur urinë për Palestinezët.
• Qeveria greke të dënojë në mënyrë të qartë dhe të pastër krimet e Shtetit të Izraelit kundër popullit Palestinez, kundër punëtorëve dhe vullnetarëve, mjekëve dhe infermierëve, kundër ndihmës humanitare, organizatave dhe misioneve që përpiqen të çojnë ndihma dhe kundër personelit të ndihmës humanitare të OKB-së.
• Qeveria Greke të ndërpresë bashkëpunimin ushtarak me Shtetin e Izraelit.
• Vendimi unanim i Parlamentit të vitit 2015 duhet të zbatohet menjëherë dhe shteti palestinez duhet të njihet në kufijtë e vitit 1967 me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
• Me përgjegjësinë e Kryetarit të Parlamentit, të ftohet Presidenti i Autoritetit Palestinez, z. Mahmoud Abbas në Parlamentin Grek për të informuar popullin grek rreth situatës në Rripin e Gazës dhe në territoret palestineze në tërësi.»
26.05.2025