Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Fjalimi hapjes nga Dhimitri Kucubas, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të KKE, në Takimin e Aksionit Komunist Europian në Berlin me temë: «80 vjet nga Fitorja Antifashiste. Konkluzionet dhe rëndësia e saj»

Të dashur shokë,
Saktësisht 80 vjet më parë, në qytetin ku ndodhemi sot, në Berlin, valëvitej Flamuri i Kuq, simboli i shtetit të parë socialist, Bashkimit Sovjetik, i cili ishte ngritur triumfalisht mbi Reichstag në 1 Maj 1945, duke shënuar shpartallimin e të ashtuquajturave “forca të pathyeshme” të shtetit nazist gjerman. Në agim të 9 Majit 1945, Gjermania kapitulloi pa kushte.
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) nderon të gjithë ata dhe ato që luftuan, duke dhënë edhe jetën e tyre, për të shkatërruar fashizmin dhe boshtin imperialist të shteteve që përbënin atë në atë fazë.
Ne nderojmë dhe mbrojmë nga shtrembërimi i qëllimshëm kontributin e madh të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe të Ushtrisë së Kuqe, të cilët mbajtën barrën kryesore të luftës, si dhe Partitë Komuniste në të gjithë Globin, të cilat udhëhoqën luftërat nacional-çlirimtare dhe anti-imperialiste. KKE është krenare që ishte frymëzuesja, organizatorja dhe shtylla kryesore e Rezistencës së madhe të popullit tonë nën EAM-in* (*Fronti Nacional-Çlirimtar në Greqi).
Fitorja e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste dhe aleatëve të saj u arrit falë:
- Rolit të pushtetit punëtorë sovjetik në krijimin dhe organizimin e mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik.
- Avantazheve të shoqërizimit/socializimit të mjeteve të prodhimit dhe planifikimit qendror të ekonomisë.
- Rolit kryesor të masave popullore, me klasën punëtore si forcë udhëheqëse.
- Rolit të Partisë Komuniste si pioniere revolucionare e klasës punëtore.
Të gjitha këto, përbëjnë një mësim i madh historik për të tashmen dhe të ardhmen e lëvizjes revolucionare.
Shpëtimi i Bashkimit Sovjetik nuk do të kishte qenë i mundur pa rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë vetëm 20 viteve pas luftës civile që pasoi Revolucionin e Tetorit 1917, në drejtim të zhvillimit të ndërgjegjshëm socio-ekonomik dhe kulturor, të ndërtimit socialist.
Epopeja sovjetike i përket të gjithë atyre që luftojnë për vendosjen e socializmit-komunizmit. Nuk i përket qeverive borgjeze të tipit Putin, që janë mbështetës të kapitalizmit monopolist rus të sotëm dhe përdorin 9 Majin për të forcuar pushtetin ideologjik të klasës borgjeze, duke keqpërdorur sakrificat e miliona komunistëve dhe duke fshehur se kush e realizoi epopenë sovjetike dhe pse.
Nga ana tjetër, klasat borgjeze të shteteve të imperializmit euroatlantik, të NATO-s dhe BE-së, që sot përplasen në tokën ukrainase me kapitalistët rusë për pasuritë natyrore, energjinë, tubacionet e transportit të gazit, tokën pjellore dhe tregjet, përpiqen të barazojnë BRSS-në me Rusinë e sotme borgjeze, e cila është krijesë e tyre. Duke u mbështetur në pushtimin rus të Ukrainës, përpiqen të fshijnë nga kujtesa 9 Majin 1945, ta falsifikojnë përmbajtjen e tij dhe të përmbysin të vërtetën historike. Por, furia e tyre gjatë këtyre tre viteve të luftës nuk mund të fshehë faktin se ata ndjekin këtë rrugë prej shumë kohësh, pasi degradimi i BRSS, i Ushtrisë së Kuqe dhe i lëvizjeve partizane është pjesë e propagandës antikomuniste dhe antisocialiste të tyre prej vitesh.
Ata përpiqen të fshehin lidhjet organike të përbindëshit të fashizmit me kapitalizmin monopolist dhe përgjegjësitë e madha të së gjitha partive borgjeze -liberale dhe socialdemokrate. Në ballë të kësaj fushate të koordinuar e të ndyrë është Bashkimi Europian, kjo aleancë reaksionare kapitaliste që edhe para luftës e shpalli 9 Majin si “Ditën e BE-së”!
Të dashur shokë,
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) studion historinë e saj dhe të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare. Nxjerr konkluzione të domosdoshme dhe të vlefshme nga ajo, përfshirë shkaqet, rrethanat dhe rezultatet e Luftës së Dytë Botërore Imperialiste.
Prandaj, në këtë aktivitet aktual të Aksionit Komunist Europian, dua të theksoj shkurtimisht disa çështje, të cilat, sipas KKE, lidhen me detyrat ideologjike dhe politike të Partive Komuniste në kushtet e sotme të acarimit të kontradiktave ndër-imperialiste dhe përpjekjeve të klasave borgjeze për të nënshtruar popujt nën planet e tyre.
E PARA: Fashizmi lind nga vetë barku i sistemit kapitalist dhe nuk është thjesht një formë qeverisjeje e sistemit, p.sh e politikës neoliberale, siç pretendojnë oportunistët dhe forcat socialdemokrate. Është e njëjta “sëmundje” e pushtetit të monopoleve dhe si e tillë duhet të luftohet. Vetë fashizmi përbën mënyrë e ushtrimit të pushtetit të monopoleve. Mbron pronësinë kapitaliste mbi mjetet e prodhimit dhe shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Sidomos në kushte krize kapitaliste, varfërie, papunësie dhe erozioni të partive parlamentare borgjeze, klasa borgjeze shfrytëzon me shumë mënyra partitë naziste, si “qen roje” të interesave të saj. Shfrytëzon aktivitetin nazi-fashist të tyre, me nacionalizmin ekstrem dhe gjoja “solidaritetin”, ngre kurthe për të bashkuar/integruar forca popullore, të papunëve, shtresa të shkatërruara mikroborgjeze.
Prandaj KKE, me përvojën e saj më shumë se njëqindvjeçare në luftëra dhe sakrifica për popullin dhe socializmin, thekson nevojën për një front ideologjik dhe politik të qëndrueshëm kundër çdo forme diktature të kapitalit, përfshirë edhe formën nazi-fashiste. Thekson se fashizmi nuk ka qenë kurrë në thelb një kundërshtar i kapitalizmit, por një shprehje e tij. Nënvizon rëndësinë e asaj që kishte paraqitur mendimtari i madh komunist gjerman Bertolt Brecht, i cili shkroi se: «Fashizmi mund të luftohet vetëm si kapitalizëm në formën e tij më brutale dhe shtypëse, si kapitalizmi më i paturp dhe më i pabesë. Si, pra, është e mundur që një kundërshtar i fashizmit të tregojë të vërtetën për fashizmin kur nuk dëshiron të thotë asgjë për kapitalizmin, i cili e shkakton atë?»
E DYTA: Të gjitha luftërat –Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe luftërat e mëvonshme pas Luftës së Dytë Botërore gjer në ditët tona në Ukrainë, Lindjen e Mesme– kanë të njëjtën “nënë”: marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit, sistemin kapitalist në fazën e tij imperialiste. Edhe sot, klasat borgjeze përfshijnë elementë nacionalistë dhe fashistë në planet e tyre, siç shihet në Ukrainë me pasuesit e Bandera-s apo në Rusi me institutet që nderojnë filozofë fashistë si Ivan Ilyin në një universitet shtetëror të kryeqytetit rus.
Siç është e ditur, Bashkimi Sovjetik për shumë vite përpiqej të formonte një front anti-hitlerian, por këto përpjekje binin në vesh të shurdhër. Vetëm pas kthesës që pati Lufta e Dytë Botërore (pas betejës së Stalingradit), anglo-amerikanët nënshkruan me BRSS aleancë anti-hitleriane. Megjithatë, kjo gjë nuk ndryshoi karakterin imperialist të luftës nga ana e tyre e cila mbeti imperialiste. As kjo luftë e tyre nuk mund të quhet e drejtë për të gjitha forcat e aleancës anti-hitleriane.
Lufta ishte e drejtë vetëm nga ana e BRSS-së që luftonte për mbrojtjen e pushtetit punëtor, pushtetit socialist, si dhe për lëvizjet e rezistencës që luftonin kundër Pushtimit fashist për mbijetesën dhe prokopinë e popullit të tyre.
Për Britaninë, SHBA-të dhe fuqitë që mbajnë përgjegjësitë e tyre për lindjen e fashizmit në Gjermani, lufta ishte e padrejtë, imperialiste, sepse synonte në ruajtjen dhe zgjerimin e rolit që ata kishin siguruar në sistemin imperialist për shkak të fitores së tyre në Luftën e Parë Botërore. Ashtu si, sigurisht, për palën tjetër, për Boshtin fashist, lufta ishte imperialiste dhe e padrejtë sepse synonte të përmbyste balancën/korrelacionin e forcave që ishte formuar pas Luftës së Parë Botërore. Që të dyja aleancat rivale imperialiste garuan po ashtu për të siguruar fitimet dhe interesat e tyre gjeopolitike. Që të dyja akuzohen për krime të rënda kundër njerëzimit. Për shembull, Boshti fashist mori drejtimin e ekzekutimeve dhe spastrimeve masive, por edhe SHBA-të dhe Anglia gjithashtu bombarduan Dresdenin dhe përdorën armë bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, pa ndonjë nevojë ushtarake, vetëm e vetëm për të paralajmëruar BRSS-në, me qëllim të impononin planet e tyre politike në zhvillimet e pasluftës.
Për të gjitha forcat borgjeze që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore, ajo luftë ishte e padrejtë! Dhe ky konkluzion ka një vlerë të veçantë sot, pasi forca të ndryshme borgjeze, që nga qeveria ruse, e cila shpall se po lufton fashizmin ukrainas, e gjer te socialdemokracia gjermane, e cila pretendon se po lufton AFD-në raciste dhe profashiste, po vishen me "maskën" e "antifashizmit", duke kërkuar të fshehin qëllimet e vërteta grabitqare të palëve ndërluftuese në luftën imperialiste që po zhvillohet në Ukrainë.
E TRETA: Sot, në sfondin e konflikteve të reja botërore nuk mungojnë dhe krahasimet të pabaza, të cilat shkaktojnë pështjellime.
Kështu, disa përpiqen të paraqesin Kinën e sotme si diçka e ngjashme me BRSS-në në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo megjithëse është më se e ditur se për shumë vite në Kinë kanë mbizotëruar marrëdhëniet kapitaliste dhe se Kina sot po konkurron me SHBA-të për dominim në sistemin imperialist botëror.
Disa të tjerë, riprodhojnë klasifikimin e gabuar -sipas mendimit tonë- të shteteve kapitaliste në “fashiste” dhe “demokratike”, siç u shfaq pas Kongresit të 7-të të Internacionales Komuniste. Kemi nxjerrë konkluzionin se Kongresi i 7-të i Internacionales Komuniste me drejtimet e tij klasifikonte/ndante absolutisht “pushtetin” e kapitalit financiar nga interesat e kapitalit industrial. Në mënyrë të ngjashme, ndau/klasifikoi plotësisht shtetet kapitaliste në shtete fashiste dhe shtete demokratike. Si pasojë e kësaj ndarjeje/klasifikimi, u forcua ideologjikisht aleanca e lëvizjes punëtore dhe komuniste me pjesë të forcave borgjeze dhe shteteve, u dobësua vigjilenca klasore kundër klasës kundërshtare.
Sot, brenda radhëve të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, disa ia atribuojnë emërtimin "fashist" disa prej forcave më të fuqishme imperialiste, siç janë SHBA-të dhe BE-ja, të cilat "eksportojnë" fashizmin te të tjerat. Sigurisht, pas zgjedhjes së Trump-it në SHBA dhe kontakteve të tij të ngushta me udhëheqjen ruse, tifozët e ri-azhurnimit të kësaj ndarjeje/klasifikimi të gabuar gjenden në një farë konfuzioni.
Në realitet, ndarja e shteteve të sistemit imperialist ndërkombëtar në profashistë - pro lufte dhe jo-fashiste, errëson shkakun e lindjes dhe forcimit të rrymës fashiste, e cila qëndron në vetë kapitalizmin monopolist dhe brenda secilit shtet. Për më tepër, thirrjet për të formuar "fronte antifashiste" në një drejtim pa klasa, domethënë, në aleanca pa kritere social-klasore, me të gjithë "njerëzit progresivë dhe të ndershëm" janë në fund të fundit të dëmshme për lëvizjen komuniste. Po ashtu edhe të ashtuquajturat "forume antifashiste" dhe "internacionale antifashiste" që bëhen me mbështetjen e forcave qeveritare borgjeze. Ky qëndrim shtyn pjesë të lëvizjes komuniste dhe klasës punëtore në çarmatosje, që të heqin dorë nga misioni i tyre historik dhe të formulojnë një linjë gjoja për të "spastruar" imperializmin nga "forcat fashiste". Në praktikë, në emër të përballjes me fashizmin, hapet rruga e rrëshqitshme për bashkëpunim me oportunizmin, me socialdemokracinë, me vetë borgjezinë ose me pjesë të saj në çdo shtet. Hapet rruga për të zgjedhur një imperialist, domethënë kjo, që në një konflikt ushtarak rajonal ose të përgjithësuar, lëvizja punëtore ta gjej veten duke mbështetur forca specifike imperialiste, në emër të asaj që të tjerat quhen "fashiste" dhe duke e vendosur kështu lëvizjen klasore, punëtore, komuniste "nën një flamur të huaj".
E KATËRTA: Problemet e unitetit ideologjik dhe strategjik u shfaqën gjatë gjithë rrjedhës së Internacionales Komuniste në lidhje me karakterin e revolucionit, karakterin e luftës që po vinte pas ngritjes së fashizmit në Gjermani dhe qëndrimin ndaj socialdemokracisë. Shpërbërja e Internacionales Komuniste (maj 1943), pavarësisht problemeve të unitetit që ajo kishte dhe pavarësisht nëse ajo mundesh të mbahej apo jo, privoi nga Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare qendrën dhe mundësinë për të përpunuar në mënyrë koordinuese strategjinë revolucionare për transformimin e luftës kundër luftës imperialiste dhe pushtimit të huaj në një luftë për pushtet, si një detyrë e vetme që i takonte secilës Parti Komuniste në kushtet e shtetit të vet.
E PESTA: Partitë Komuniste munden të shfrytëzojnë hapësirën jetësore të krijuar nga kontradiktat brenda-borgjeze dhe ndër-imperialiste për të zhvilluar aktivitetin e tyre, vetëm kur të kenë të qartë identitetin e përbashkët antipunëtor-antipopullor të së gjitha sanksioneve borgjeze dhe aleancave imperialiste dhe nuk shpërqendrohen nga synimi i përmbysjes revolucionare të pushtetit kapitalist. Duke ruajtur pavarësinë e tyre ideologjike, politike dhe organizative. Përndryshe, riciklojnë dhe ushqejnë përçarjen e klasës punëtore dhe aleatëve të saj në kampe kundërshtare borgjeze dhe imperialiste.
Shokë,
Duke përfunduar këtë ndërhyrje të shkurtër hyrëse, në emër të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), dua të theksoj se Partia jonë nuk është e shkëputur nga rrethanat e vështira të sotme, nga korrelacioni negativ global i forcave, nga kriza në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Megjithatë, historia, na mëson se popujt e kanë forcën për t'u përballur me vështirësitë dhe raportet negative dhe të dalin fitimtarë! Këtë tregoi edhe rezultati i luftës 80 vjet më parë.
Dhe nëse duam t’u themi diçka, të gjithë atyre që sot zgjedhin rrugën e kompromisit, të integrimit në sistem, është mbishkrimi, që Lenini zgjodhi të vendoste në gazetën “Iskra”, të cilën e themeloi kur ishte në mërgim politik këtu në Gjermani (në Mynih) në vitin 1900: «Nga shkëndija do të ndizet flaka», e cila është marrë nga një poezi e dhjetoristit revolucionar Aleksandr Odojevski drejtuar Aleksandr Puskin-it.
Dhe këtë, shkëndijën revolucionare, mes stuhisë së kundërrevolucionit, luftërave imperialiste dhe krizave kapitaliste, ne, partitë e Aksionit Komunist Europian, jemi të thirrur sot që ta ruajmë, sepse e ardhmja e njerëzimit nuk është kapitalizmi, por bota e re, socializmi!
09.05.2025